Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nata e sontme do të jetë e gjatë dhe e rëndë.
Në një deklarim para takimit me serbët e Kosovës në Rashkë, gjatë të cilit pritet të merret vendimi për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, presidenti serb tha se nuk mendon se dita e sotme ka qenë një ditë e keqe.
“Nuk mendoj që sot ka qenë ditë e keqe. Janë gjëra të mëdha kur mund të shihni gruan dhe fëmijët të lumtur dhe mund të përqafojnë burrin, babanë” – shtoi ai.
Vuçiq tha se e kupton popullin serb të Kosovës. “Kurrë nuk do të jenë plotësisht të lumtur. Unë këtë e kuptoj, të pakënaqur janë me pozitën e tyre, sepse nuk e dinë në cilin shtet jetojnë. Pres të vijnë me kërkesa ndaj Serbisë dhe meje. Do të shohim nëse do të pranojnë të heqin barrikadat” – theksoi tutje presidenti serb.
Tutje, presidenti serb tha se sot për herë të parë kemi pranuar diçka që është burim i drejtësisë.
“Nuk mund të ketë prezencë të forcave shqiptare në veri të Kosovës pa leje. Tërë natën kemi luftuar që barrikadat të mbesin në tekst. Puna ime është që të luftoj për ta gjithmonë dhe çdo herë kam qenë me ta. Kosova është Serbi dhe ata janë vëllezërit e motrat e mia. Jam i gatshëm të përgjigjem në të gjitha pyetjet” – shtoi ai.
Duke iu drejtuar serbëve të Kosovës, Vuçiq ka thënë se e di se me çfarë problemesh ballafaqohen dhe me çfarë janë ballafaquar këto vite.
Duke aluduar në institucionet e Kosovës, presidenti serb ka thënë se asnjëherë nuk janë sjellë si në kohën e kryeministrit Albin Kurti.
“E di me çfarë problemesh ballafaqoheni dhe me çka jemi ballafaquar këto vite. Asnjëherë s’janë sjellë si në kohën e Kurtit” – deklaroi ai.
Tutje, Vuçiq ka përmendur ndalimin nga autoritetet e Kosovës të mbajtjes së referendumit serb.
Ai pretendoi se bashkësia ndërkombëtare i kanë thënë se do t’ia tërheqin vërejtjen Kosovës për moslejimin e organizimit të referendumit, por, sipas tij, asgjë s’ka ndodhur.
“Mos harroni se janë shtete që e kanë mbështetur shpalljen e pavarësisë së dikujt” – shtoi presidenti serb.
“Rezultati që kemi fituar është dalja në barrikada e njerëzve, që sado pak bota ta shohë pozitën e serbëve në Kosovë“ – theksoi ai.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga gazetarët ta lëshojnë sallën e takimit me serbët e Kosovës.
Këtë kërkesë ai e bëri në momentin kur në sallë kanë shkuar njerëzit e barrikadave të vendosura në rrugët në veri të Kosovës.