Ndonëse ishte paralajmëruar se drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq do të mbante konferencë shtypi të dielën në orën 14:00 lidhur me incidentin e armatosur në veri të Kosovës, siç dihet, kjo nuk kishte ndodhur.
Gazeta serbe Nova nga një burim i afërt me partinë e presidentit serb ka mësuar se Aleksandar Vuçiq i ka kërkuar Petkoviqit që të mos flasë dhe se do ta bënte ai vetë këtë.
Sipas pohimeve të bashkëbiseduesit të portalit, Vuçiq i ka bërtitur Petkoviqit duke i thënë se ai nuk mund të flasë për atë temë pa dijeninë e tij, me vërejtjen se Petkoviq “nuk ka çfarë të thotë”.
Siç mëson portali serb, transmeton Telegrafi, Vuçiq i ka kërkuar Petkoviqit që të mos i drejtohet opinionit, pasi të gjitha informacionet do t’ua përcjell qytetarëve në mbrëmje.
“Vuçiq ishte i zemëruar me Petkoviqin sepse ai nuk e kishte konsultuar para se të caktonte konferencën për shtyp. Petkoviq e kishte thirr konferencën krye në vete, sepse si drejtor i Zyrës ka qenë logjike që ai t’i drejtohet mediave. Kur Vuçiq pa që Petkoviq do të fliste, ishte goxha nervoz dhe kërkoi të anulohej konferenca”, pohon një burim i Nova pranë partisë së Vuçiqit (SNS).
Sipas bashkëbiseduesit të portalit, Vuçiq i nervozuar e ka pyetur Petkoviqin se “çfarë do të thotë ai kur nuk ka kurrfarë informacionesh”.
“Vuçiq ka kërkuar qartë që Petkoviq të mos flasë sepse nuk ka çfarë t’u thotë qytetarëve. Situata ishte dramatike, për këtë foli edhe vetë Vuçiq në konferencë dhe për këtë arsye Petkoviqit iu kërkua të anulojë konferencën. Vuçiq madje u tregua i vrazhdë për një moment dhe i tha Petkoviqit, “çka do t’i thuash opinionit… Kush të dha leje?”, pohon burimi i portalit serb.
Kujtojmë se pas lajmit se në Kosovë ka pasur të shtëna me armë ku mbeti i vrarë një polic dhe se në afërsi të manastirit të Banjskës po ndodhte një konflikt i armatosur, asnjë nga përfaqësuesit e pushtetit serb nuk iu drejtua qytetarëve. Ndërmjet orës 10:00-11:00 është bërë njoftimi zyrtar se në orën 14:00, drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, do të flasë për situatën e shkaktuar.
Mirëpo, shumë shpejt ka ardhur një njoftim i ri në të cilin bëhet e ditur se presidenti i Serbisë do të flasë pasdite, ndërsa në të njëjtën kohë konferenca e Petkoviqit është anuluar. Nuk u shpjegua pse, vetëm u la me dije se presidenti do t’i “zbulojë të gjitha gënjeshtrat e Kurtit”.
Edhe pas konferencës së shumëpritur për media të presidentit Aleksandar Vuçiq, qytetarët nuk morën përgjigje për të gjitha pyetjet se çfarë ndodhi në Banjskë. Vetë Vuçiq tha se nuk mund t’u drejtohej më herët qytetarëve sepse “nuk mund të merrnin informacion më herët për shkak të hiperbolizimeve” dhe tha se kanë mbajtur një seancë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë gjithë ditës dhe se vendimet që kanë marrë do t’i prezantohen popullit në ditët në vijim.
Incidenti i armatosur filloi natën mes të shtunës dhe të dielës rreth orës 3 të mëngjesit, kur sulmuesit vranë një pjesëtar të Policisë së Kosovës dhe plagosën një tjetër. Përleshjet vazhduan gjatë gjithë ditës të dielën dhe u dëgjuan të shtëna në Banjskë.
Sipas informacioneve zyrtare, përveç policit, janë vrarë edhe tre serbë, ndërsa disa janë plagosur. Një nga të lënduarit ndodhet në spitalin e Novi Pazarit. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se bëher fjalë për një organizatë kriminale, e cila mbështetet politikisht dhe financiarisht nga Beogradi.
“Procesi i radhës do të na japë më shumë informacion se kush janë, si kanë hyrë në Kosovë dhe kush i ka urdhëruar. Ajo që kemi zbuluar është se është një organizatë terroriste dhe kriminale që e ka planifikuar këtë sulm”, tha Kurti.
Opinioni ende është në pritje të përgjigjeve në shumë pyetje, ndër të tjera, ku i kanë marrë armët e rënda sulmuesit, pse sulmuesit kanë bllokuar rrugën në tre të mëngjesit, si janë tërhequr nga manastiri dhe pse KFOR-i nuk reagoi.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmuesit kanë pasur armë të rënda dhe se në mesin e materialeve kanë gjetur edhe dokumentet e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.