Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka deklaruar se vendi i tij është “shumë i vogël për ta kërcënuar Turqinë”, pas komenteve të tij në lidhje me dërgesën e dronëve turq në Kosovë, duke e përshkruar Turqinë si “forcën e dytë më të madhe ushtarake të NATO-s”.
Duke folur në një konferencë urgjente për media, ai iu referua furnizimit të fundit të Kosovës me dronët kamikazë “Skydagger”, të prodhuar në Turqi, dhe komentoi për gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Beogradit dhe Ankarasë.
Duke iu përgjigjur akuzave të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se ai kishte kërcënuar Turqinë, Vuçiqi përsëriti se Serbia është “shumë e vogël për ta kërcënuar” një shtet që e cilësoi si “fuqi të madhe”, duke theksuar se fjalët e tij janë keqinterpretuar.
Ai shtoi se Serbia do të vazhdojë të mbrojë lirinë dhe mbijetesën e popullit të saj, duke ruajtur njëkohësisht atë që e quajti “epoka e artë” e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Serbisë.
Duke iu përgjigjur kritikave në mediat serbe për miqësinë e tij personale me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, pas transferimit të armëve turke në Kosovë, Vuçiqi e mbrojti këtë marrëdhënie.
“Sa i përket presidentit Erdogan, unë do të jem gjithmonë një mikpritës i mirë”, tha ai. “Po flasim për një udhëheqës të madh dhe për një vend të madh e të suksesshëm – për një njeri që e ringriti Ankaranë nga hiçi, e transformoi Stambollin dhe që, pa dyshim, është lideri më i madh turk që prej Mustafa Kemal Ataturkut”, shtoi Vuçiqi.
Ai theksoi se ruajtja e marrëdhënieve të mira me Turqinë dhe mbrojtja e interesave kombëtare të Serbisë nuk janë qëllime që përjashtojnë njëra-tjetrën.
Vuçiqi tha se për bashkëpunimin ushtarak të Turqisë me Kosovën kishte biseduar drejtpërdrejt me presidentin Erdogan në “Shtëpinë Turke” në Nju Jork, në shtator të vitit 2024. Ai kujtoi se në takim kishte marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ku tha t’i ketë kërkuar Erdoganit të ndalonte dërgimin e armatimit në Kosovë. “Rreth një vit më parë, i kërkova presidentit Erdogan të ndalte furnizimin me armë për Prishtinën”, tha Vuçiq.
Sipas tij, autoritetet e Kosovës po punojnë për një plan dhjetëvjeçar që Forcën e Sigurisë së Kosovës ta shndërrojnë në një ushtri të plotë, me Turqinë që luan rolin kryesor në këtë proces. Ai renditi disa nga sistemet turke të armatimit të dërguara në Kosovë, përfshirë dronët “Skydagger”, raketat kundërtank “OMTAS”, dronët “Bayraktar”, automjetet “Otokar Land Rover”, “BMC Vuran” dhe “Otokar Cobra”, si dhe armë sulmuese e snajpera.
“Më të rëndësishmet ndër këto sisteme moderne luftarake janë dronët kamikazë ‘Skydagger’”, tha ai, duke sqaruar se kontrata e furnizimit ishte nënshkruar më 24 dhjetor dhe se dërgesa ishte përfunduar përpara afatit.
Kosova dje pranoi kontejnerë me mijëra dronë kamikazë “Skydagger” prodhim turk.
E pas këtij lajmi, presidenti serb e sulmoi Turqinë, për të cilën tha se nuk është e interesuar për stabilitet në rajon.
“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe nga armatosja e vazhdueshme e autoriteteve të Prishtinës”, tha Vuçiq në një postim në rrjetet sociale të mërkurën.
Ai tha më tej se me këtë po bëhet e qartë se “Turqia po dëshiron të rikthejë Perandorinë Osmane” në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se e njëjta “nuk dëshiron stabilitet” në këtë rajon.
E presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i reagoi menjëherë homologut të saj serb, duke thënë se në të njëjtën ditë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e lavdëroi Turqinë dhe Erdoganin për udhëheqjen në promovimin e paqes dhe sigurisë globale, Vuçiqi “pa turp po e sulmon Turqinë, një vend që si anëtare e NATO-s, po na ndihmon në mbrojtjen e paqes”.
“Jam krenare që kam punuar ngushtë me Presidentin Erdogan, një njeri i fjalës që gjithmonë ka treguar kujdes të thellë dhe të sinqertë për të gjithë popujt e rajonit tonë, dhe që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe paqes”.
“Ndërkohë, Vuçiqi duket se beson se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia, në të njëjtën mënyrë siç kërcënon vendet fqinje. Në vend që të bashkëpunojë ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, ai po e shtyn përpara bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, Kinën dhe Iranin”, shkroi Osmani.