Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia shpalli ditë zie edhe për policin e Kosovës të vrarë nga sulmuesit serbë në Banjskë të Zveçanit.
“Serbia shpalli ditë zie edhe për serbët e vrarë edhe për policin e vrarë. Për mua serbët e vrarë nuk do të jenë kurrë terroristë, për mua nuk ka justifikim as vrasja e një polici”, ka thënë Vuçiqi, shkruan Rts.
Kjo deklaratë e tij vjen pas kritikave të shumta edhe ndërkombëtare, të cilat thonë se me shpalljen ditë zie në Serbi për sulmuesit serbë, tregohet se Serbia ishte prapa sulmeve.
Të dielën e 24 shtatorit nga sulmues të armatosur në Banjskë të Zveçanit ka mbetur i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe janë plagosur tre të tjerë, njëri prej tyre me armë zjarri. Edhe tre sulmues janë vrarë nga aksioni pasues i Policisë së Kosovës, ndërkaq tetë janë arrestuar. Deri tash tre janë dërguar në paraburgim e katër janë liruar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se është përgjegjëse për organizimin e një grupi serbësh të armatosur.
Në pamjet me dron të publikuara nga Qeveria e Kosovës është parë se pjesë e grupit sulmues ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe është edhe Milan Radojiçiq.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, sot ka njoftuar se njëri nga tre sulmuesit e armatosur serbë, të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën, është truproje e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandar Vulin.
Pas heshtjes fillestare, në momentet kur u zhvillua sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, mediat nën kontrollin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq u përfshinë aktivisht në justifikimin e sulmit ndaj Policisë së Kosovës, duke i cilësuar sulmuesit e armatosur si “heronj”.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka thënë se Serbia është e zhgënjyer me reagimin e KFOR-it në sulmin e të dielës në Banjskë të Zveçanit.
“Dikush padyshim po e lejon Albin Kurtin të ndërtojë baza në veri, për të hyrë atje policë të armatosur rëndë. Serbia e dënoi vrasjen e policit kosovar, por ajo që ndodhi më pas ishte e tmerrshme, serbët u gjuajtën sikur bisha nëpër pyje. Shihet se dikush e ka përgatitur mirë, kur shikon regjistrimet që i publikojnë radhazi. E gjithë kjo kërkon hetim të mëtutjeshëm. KFOR-i duhej t’i ndalonte të shtënat. KFOR-i ka një bazë jo larg nga andej, dhe ka mundur të reagonte, dhe ishte sikur ata qëndruan mënjanë dhe i lejuan policët shqiptarë të shpërndarë mirë të vazhdonin gjuetinë e serbëve në rrethinën e Banjskës”, ka thënë ai.
Presidenti i Partisë Republikane të Serbisë, Nikola Sanduloviq, përmes një letre të hapur i ka propozuar Kurtit që ta ndalojë punën e Listës Serbe, të cilën e ka quajtur organizatë kriminale.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë për CdM, ka thënë se sulmi në veri të Kosovës mund të pritej, duke pasur parasysh sjelljen e Beogradit në muajt e fundit.