Ish-rezervistit të policisë serbe, Zoran Vukotiq, i është konfirmuar dënimi me dhjetë vjet burgim për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Kështu njoftoi Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 nëntor.
Në korrik të vitit 2021, Vukotiqi ishte dënuar me dhjetë vjet burgim, por më pas çështja ishte kthyer në rigjykim.
Sipas avokatit të tij, Nebojsha Vlajiq, gjykimi u përsërit për shkak të “gabimeve procedurale”.
“Këto ditë u zhvillua një proces i ri dhe sot u shqiptua dënimi njësoj si herën e parë, dhjetë vjet burgim. Ne kemi të drejtë ankese dhe do ta ankimojmë sepse besojmë se nuk ka prova për akuzën ndaj tij”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Vukotiqit në mars të vitit 2020.
Në këtë aktakuzë thuhej se Vukotiqi si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, “kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”.
Ky ishte rasti i parë i dënuar për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.
Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.