Ministri i Brendshëm serb, Aleksandër Vulin ka bërë një reagim në lidhje me anulimin e vizitës së diplomatit rus, Sergei Lavrov në Beograd.
Sipas Vulin, shtetet që penguan ardhjen e Lavrov në kryeqytetin e Serbisë nuk duan paqe dhe ëndërrojnë humbjen e Rusisë në luftën që po zhvillohet në Ukrainë,
“Më vjen shumë keq për vizitën e një miku të madh dhe të dëshmuar të Serbisë, Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergei Lavrov. Një botë ku diplomatët nuk mund të kërkojnë paqe është një botë ku nuk ka paqe. Ata që penguan ardhjen e Sergei Lavrov nuk duan paqe, ata ëndërrojnë humbjen e Rusisë”, tha Vulin.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u detyrua të anulojë vizitën e tij në Serbi, pasi 3 shtete ballkanike mbyllën hapësirat e tyre ajrore për avionët që nisen nga Rusia.
Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria, ishin tre shtetet që mbyllën hapësirën ajrore për avionin e diplomatit rus.
Anulimi i vizitës së Lavrov, është konfirmuar edhe nga ministria e Jashtme e Rusisë. Ishte planifikuar që diplomati rus të mbërrinte këtë të hënë në Beograd, ku do të zhvillonte një vizitë dy ditore.