Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha sot në lidhje me tekstin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në New York Times, se Kurti është gënjeshtar dhe frikacak që po mundohet ta fusë Serbinë në luftë me SHBA, shkruan Gazeta Enigma.
Duke reaguar ndaj shkrimit të Kurtit në të cilin ai sulmonte Serbinë dhe akuzonte presidentin serb Aleksandar Vuçiq për bashkëpunim të ngushtë ushtarak me Rusinë dhe i bëri thirrje paktit të NATO-s që ta ndihmojë për këtë, Vulin theksoi se nuk e dinte se sa ka paguar Kurti për ta publikuar atë artikull në New York Times, por që Serbia duhet ta paguajë atë që të shpallet sërish.
“Nëse dikush s’e kupton se çfarë frikacaku dhe gënjeshtari është ai, ta lexojë përsëri tekstin e tij. Ashtu siç pagoi për kushte më të mira në burgun serb në Pozharevc në vitin 1999 duke spiunuar shokët e tij ushtarë, ai sot do të paguante për fuqinë e tij me kokat e ushtarëve të NATO-s”, ka pretenduar Vulin.
Siç theksoi ai, Kurti nuk mund ta sulmojë Serbinë i vetëm, prandaj “po mundohet që disi t’i bindë taksapaguesit amerikanë se do të ishte e udhës që ata të hynin sërish në luftë me Serbinë, e gjitha për Kosovën e tij”.