Zëvendëskryeministri i Serbisë, Alekandar Vulin, tha se Serbia mund të anëtarësohet në aleancën BRICS, siç tha ai, shkaku i “presionit dhe kërcënimeve” nga Brukseli drejt Beogradit në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën.
Vulin i bëri këto komente nga Shën Petersburg i Rusisë, ku po qëndron për të marrë pjesë në takimin e zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe këshilltarëve të sigurisë kombëtare të vendeve të BRICS.
“Nëse Stano mendon se Serbia do të pranonte të njohë de fakto ose de jure pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë në këmbim të vazhdimit të rrugës për në Bashkimin Evropian, ai mund të harrojë Serbinë ashtu siç e ka harruar përkushtimin e Prishtinës për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Vetëm le të vazhdojnë zyrtarët evropianë të kërcënojnë dhe të bëjnë presion ndaj Serbisë dhe rruga e saj drejt Evropës do të përfundojë me anëtarësimin e saj të plotë në BRICS”, tha Vulin, si reagim ndaj deklaratave të Stanos i cili kujtoi se Serbia duhet të respektojë Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e raporteve me Kosovën për t’u lejuar të anëtarësohet në BE.
Aleanca BRICS në krye ka shtete si Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, ndërkohë që edhe shtete të tjera më të vogla – që kryesisht janë armike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – janë anëtarësuar.