Lëvizja Vetëvendosje, partia që doli fituese në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka sulmuar Gjykatën Kushtetuese se po krijon pushtet paralel dhe po i jep të drejtë vetoje Listës Serbe, pasi kjo e fundit publikoi aktgjykimin e plotë për rastin e ankesës së partisë së serbëve për zgjedhjen e Nenad Rashiq, si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.
“Kushtetuta nuk interpretohet përmes vetëvendimeve të Gjykatës, por përmes tekstit, strukturës dhe qëllimit të saj. Zgjerimi i rolit të Gjykatës Kushtetuese me këtë përbërje nuk është rastësi e as rast i izoluar. Në vijimësi, edhe në shumicën e kolegjeve të kaluara, me disa përjashtime, është ndjekur e njëjta prirje: zgjerim gradual i kompetencës përtej mandatit kushtetues. Në këtë mënyrë, qëllimisht po formësohet një pol pushteti paralel dhe i padukshëm nga sovrani, i cili shfaqet sa herë demokracia fillon të marrë hov dhe jeta realpolitike prodhon kontradikta.”, thuhet në reagim.
Sipas VV-së, vendimi favorizon në mënyrë të papërshtatshme Listën Serbe, duke i dhënë praktikisht një të drejtë vetoje për zgjedhjet e nënkryetarit.
“Çdo interpretim që sakrifikon funksionalitetin e institucioneve për hir të një subjekti politik që nuk e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, nuk e mbron rendin kushtetues dhe e dëmton atë,” thuhet në reagim.
Vetëvendosje e cilësuar vendimin si një mungesë serioze koherence dhe abuzim me kompetencat.
Sipas reagimit, Gjykata Kushtetuese ka ndryshuar qëndrimin e saj brenda vetëm katër muajsh për të njëjtën çështje kushtetuese, pa ndonjë ndryshim normativ, faktik apo sistemik.
VV thekson se kjo cenon parimin e sigurisë juridike dhe besimin e qytetarëve në rendin kushtetues.
“Një ndryshim i tillë nuk mund të justifikohet si zhvillim i jurisprudencës, pasi mungon evolucioni i rrethanave normative apo shoqërore. Ky vendim përbën formë klasike të abus de droit – përdorim formal të kompetencës gjyqësore për të prodhuar një rezultat të ri normativ,” thuhet në njoftim.
