VV “bëhet e gjallë” – Protesta e veteranëve kundër Speciales është dhjetë vjet me vonesë

VV “bëhet e gjallë” – Protesta e veteranëve kundër Speciales është dhjetë vjet me vonesë

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë sot në Prishtinë, me fillim nga ora 17:00, për të kundërshtuar padrejtësitë që, sipas tyre, po bëhen nga Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në konferencën për media të mbajtur të mërkurën, këto organizata bënë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve, në mbështetje të luftës çlirimtare dhe kundër raportimeve se Gjykata Speciale po përdor dosje dhe dokumente të Serbisë si prova në procesin gjyqësor.

Protesta e paralajmëruar ka marrë përkrahje edhe nga tri partitë më të mëdha opozitare në vend: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Ndërkohë, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar lidhur me protestën përmes një postimi në Facebook. Ai ka renditur gjashtë pika, ku mes tjerash ka kritikuar kohën kur po mbahet protesta dhe qëndrimin e opozitës ndaj çështjes së Gjykatës Speciale.

“Protesta është dhjetë vjet e vonuar. Është dashur që në verën e vitit 2015 të kundërshtohet pushteti i atëhershëm”, ka shkruar Manxhuka.

Ai ka theksuar se “nuk mund të ndryshohet historia e Kosovës dhe lufta çlirimtare por as historiku i themelimit të Gjykatës Speciale”.

Sipas tij, “Kosova ka nevojë për gjykata normale që dalin pas vettingut dhe për kryeprokuror të ri e jo për gjykata speciale jotransparente të cilat janë jashtë praktikave ndërkombëtare”.

Tutje, Manxhuka thekson se “për më pak se pesë vjet qeveria Kurti ka paguar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe shpenzimet e tjera atje”.

Duke iu referuar intervistës së fundit të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga, ai tha: “Në intervistën e tij nga Haga para një jave, ish-presidenti dhe ish-kryeministri Thaçi ishte tepër i butë me Gjykatën Speciale. Protestat nuk mund ta zëvendësojnë a kompensojnë mungesën e qëndrimit të tij”.

Në fund, Manxhuka shtoi se “fatkeqësisht, në vitin e pestë që po mbahen në paraburgim ish-drejtues të UÇK-së, është e qartë që partia kryesore opozitare çështjen e tyre e ka përdorur shumë më tepër kundër qeverisë Kurti sesa për lirimin e të akuzuarve”.

Related Articles