Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për t’u shqyrtuar në afate të përshpejtuara kohore të projektligjeve për zyrtarët publikë dhe atij për paga, që të hyjnë në fuqi qysh në shkurt me koeficientë të rinj.
Ajo ka deklaruar të enjten se kjo seancë është thirrur për t’u shqyrtuar dhe miratuar kërkesa për shmangie nga afatet procedurale.
“Kuvendi më 9 dhjetor ka miratuar 2 projektligje, për zyrtarë publikë dhe për pagat në sektorin publik. Ne deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kërkojmë këtë seancë për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën për shmangie nga afatet procedurale, e përcaktuar me rregulloren e Kuvendit”, deklaroi Kusari-Lila.
Para Kuvendit, deputetja e VV-së u shpreh se edhe punëtorët e institucioneve publike kanë kërkuar që pagat të procedohen deri në shkurt, me koeficientet e rinj.
Shqyrtimi i afateve të këtij projektligji po bëhet në seancën kur po bëhet shqyrtimi i Buxhetit 2023. Me shqyrtim të buxhetit do të caktohet edhe vlera e koeficientit.
Kundër kësaj seance doli deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.