VV u ankua se Arsenijeviqi ofendoi Kurtin dhe ministrat, PZAP: Nuk ka shkelje

VV u ankua se Arsenijeviqi ofendoi Kurtin dhe ministrat, PZAP: Nuk ka shkelje

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Aleksander Arsenijeviqit, kryetar i “Demokracia Serbe”, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

Vetëvendosje ishte ankuar se Arsenijeviqi kishte penguar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në veriun e Mitrovicës, ku ka theksuar se partia kishte planifikuar aktivitet në kuadër të fushatës zgjedhore atje.

Në arsyetimin e VV-së është thënë se Arsenijeviqi ka tentuar ta pengojë aktivitetin, ka ofenduar dhe fishkëllyer drejt Kurtit, ministrave e deputetëve.

Ndërkaq, Arsenijeviq në përgjigjen e tij ka thënë se VV-ja nuk ka shpallur aktivitet të fushatës zgjedhore për atë ditë në Mitrovicë të Veriut dhe askush “publikisht nuk ishte në dijeni se kryeministri Kurti po planifikonte një vizitë edhe në Mitrovicën e Veriut”.

PZAP-ja ka thënë se pretendimet e VV-së janë “të paqëndrueshme” dhe i refuzon “për faktin se veprimet e përshkruara në ankesë nuk paraqesin ndonjë nga shkeljet e pretenduara”.

“Paneli nuk mund ta marrë si të mirëqenë dhe të vërtetë pretendimin për të cilin pala ankuese ju është referuar, prandaj lidhur me këtë çështje PZAP-i ankesën e parashtruar e konsideron të pabazuar në fakte, dëshmi të qarta dhe bindëse konform dispozitës ligjore të nenit 117 paragrafi 3 dhe 118 paragrafi 1 të LZP-së”, thuhet në vendimin e PZAP.

Related Articles