Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, Xhafer Tahiri, i cili pas zgjedhjeve të 12 tetorit lidhi koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, i është kundërpërgjigjur sot kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke deklaruar se marrëveshja është bërë me dijeninë dhe lejen e tij.
“Unë nuk kam tradhtu. Kjo marrëveshje nuk është bërë kokë më vete. Marrëveshjen në Vushtrri e kam bërë në radhë të parë për qytetarët. Arsyeja është e thjeshtë – në pushtet prej kohësh ka qenë PDK, që ka qeverisur keq dhe ka sjellë stagnim. Kjo marrëveshje nuk lidhet me asnjë komunë tjetër dhe nuk ndikon në to. Nuk e kam bërë në kokë me vete; jam konsultuar me themeluesit e degës dhe me asamblistët. Nuk do të kem asnjë pozitë atje, madje as në Kuvendin Komunal, nëse më lejohet. Marrëveshja ka ardhur kësisoj: kryetari Abdixhiku më pyeti nëse kemi ofertë, i thashë po – nga VV. Më pyeti a mund të fitojmë, i thashë po. Pastaj ia kam shpjeguar parimet e koalicionit,” tha Tahiri në një intervistë për Kanal 10.
Ndërkohë, LDK kishte deklaruar më herët se Tahiri e kishte lidhur marrëveshjen pa miratimin e partisë.
Në emisionin Debat Plus, Abdixhiku mbrëmë tha se marrëveshja e Tahirit me Lëvizjen Vetëvendosje është “e pavlefshme” për LDK-në dhe se kjo çështje nuk ka rëndësi për partinë.
Madje ai e quajti edhe “qyqan” Tahirin.
“Kjo është tema më e parëndësishme për LDK-në, sepse jemi në betejë në nëntë komuna të tjera ku jemi në garë. Vushtrria nuk është në garë sepse kemi dalë të tretit. Secili njeri që e shtrinë qafën para kryetarit të një partie tjetër është qyqan,” tha Abdixhiku, duke shtuar se “për punët e shtëpisë merremi vetë” dhe se vendimi përfundimtar do të merret më 10 nëntor.
