Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vlerëson se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të kurorëzohet në vitin 2028, teksa thotë se Qeveria e Kosovës do të përpiqet që këtë vit të bëjë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian
“Qeveria e Kosovës mesa di unë tashmë i ka bërë të ditur hapat e vet, për shembull këtë vit ka premtuar që do të përpiqet që ta bëjë aplikimin për Bashkimin Evropian, kurse sa i përket NATO-s ne jemi në një program për të cilin e di gjithkush se i ka fazat e veta dhe është i strukturuar përmes fazave ndryshme. Ka qenë një plan 10 vjeçar i shpjeguar dhe në të cilin ne kemi hyrë në vitin 2018 dhe i njëjti pritet që të kurorëzohet në vitin 2028”.
“Sa i përket Bashkimit Evropian çështja e aplikimit me siguri që mund të ndodhë, por, ajo në të cilën ne po bëjmë thirrje është që të na ndihmojnë të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian pas situatës së krijuar që të konceptohet Ballkani Perëndimor edhe si çështje e sigurisë dhe jo më si çështje e disa kritereve të ndërlikuara që kurrë nuk po ju vije fundi”, tha Konjufca.
Konjufca thotë se për këtë dy anëtarësime procedurat janë të qarta dhe nuk ndryshojnë për asnjë shtet – por, ajo që mund të ndryshojë është përshpejtimi i procedurave që me ngulm po e kërkojnë krerët e institucioneve kosovare, njofton Klankosova.tv.
“Procedurat janë të qarta dhe nuk ndryshojnë për asnjë shtet – ajo që mund të ndryshoj është përshpejtimi i procedurave e shpejtësia varet prej përmbushjes së reformave dhe kritereve që përcaktohen paraprakisht”.
“Kosova është në fazën e përmbushjes së marrëveshjes se Stabilizim-Asociimit për të hyrë në BE”.
Tutje, Konjufca thotë se pas agresionit rus tashmë është krijuar një momentum për anëtarësimin e të gjitha vendeve të rajonit në BE përnjëherë.
“Ndoshta deri pardje ose para pak javësh anëtarësimi i të gjitha vendeve për njëherë është dukur jo serioze, por tash është fortë serioze me situatën e re të krijuar me Rusinë dhe agresionin e saj”.
“Një momentum për anëtarësimin e gjithë rajonit në Bashkimin Evropian besoj që është krijuar tashmë. Janë gjithë ato takime, telefonata, letra e konferenca që besoj se do të kenë një rezultat në fund – teksa ka vende anëtare që po kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO besoj që ky është ai rezultati”, tha Konjufca.