Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi tha se do të vazhdojnë marrëdhëniet bilaterale konstruktive dhe intensive me Kosovën, me bashkëpunim në sfera të shumta me interes të ndërsjellë.
Këto komente i pari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi i bëri pas takimit me homologun e tij nga Kosova, Glauk Konjufca.
Xhaferi tha se mbështesin nismën për mbajtjen e seancës së dytë ndërqeveritare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.
“E informova se në Kuvend është ratifikuar Marrëveshja për bashkëpunim në turizëm ndërsa në procedurë parlamentare janë ligji për bashkëpunim në lidhje me diasporën, për statusin e pjesëtarëve të Armatës sonë dhe Forcave të sigurisë të Kosovës gjatë stacionimit në territoret e të dyja shteteve dhe për partneritet në kontekst të garantimit të marrëveshjes për ndihmë teknike në suazat e Programit IPA”, tha Xhaveri duke shtuar se këtu bën pjesë shfrytëzimi i IPA fondeve në drejtim të hapjeve të kalimeve kufitare të reja dhe modernizimi i atyre ekzistuese.
Po ashtu, ai tha se në lidhje me dialogun Prishtinë – Beograd, qëndrimi i tyre është i njëjtë si edhe më parë.
“Mbështetje e plotë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare, të pranueshme për të dyja palët, marrëveshje me të cilën do të garantohet paqja, stabiliteti, siguria dhe përparimi i të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi”, tha Xhaferi.
Tutje ai ka thënë se natyrisht, marrëveshja e arritur për targat e regjistrimit me ndërmjetësimin e BE-së është akt i cili ndikon në uljen e tensioneve në Veri të Kosovës, është shenjë pozitive dhe nxitje për vazhdimin e negociatave deri në normalizimin e raporteve mes dy vendeve.