Xhelozia e Ismetit apo frika e pushtetit

Xhelozia e Ismetit apo frika e pushtetit

Komiteti Olimpik i Kosovës sonte ka mbajtur manifestimin “Laueratët e vitit 2022”, një ngjarje e rëndësishme dhe emocionuese për botën e sportit në vendin tonë. Kjo ngjarje, e organizuar çdo vit nga KOK-u është një mundësi e mirë për të nderuar dhe vlerësuar sportistët, trajnerët dhe punëtorët më të mirë të vitit paraprak, të cilët kanë arritur suksese të shkëlqyera në fushën e tyre.


Me një çmim special për punën e jashtëzakonshme në drejtim të futbollit kosovar ishte parashikuar të nderohet edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili ishte kandidati i vetëm për këtë çmim. Megjithatë, në fund si duket gjërat ndryshuan dhe KOK-u e presidenti i saj, Ismet Krasniqi, nga frika e pushtetit apo nga xhelozia, mosdhënien e çmimit për Ademin, u munduan që ta mbulojnë me dhënien e çmimit për futbollistin e Kombëtares, Vedat Muriqi, ndonëse çmimi i tillë zakonisht është dhënë për personalitetet dhe punëtorët më të dalluar sportiv.

Deri te ky vendim i KOK-ut me gjasë ka ardhur nga frika e pushtetit por edhe nga xhelozia ndaj kreut të FFK-së, i cili ka arritur të bëjë shumë viteve të fundit në futbollin e Kosovës. Janë disa njerëz që kanë frikë nga fuqia dhe ndikimi i tij, duke pasur parasysh se Agim Ademi ka arritur të krijojë raporte të shkëlqyeshme me krerët e FIFA-s e UEFA-s. Nëse do të kishte qenë një zgjedhje e lirë dhe e drejtë, pashmangshëm se ky çmim do të duhej t’i takonte kreut të FFK-së për shumë arsye.

Çmimi special jepet për punëtorin më të mirë sportiv e jo për sportistin apo golashënuesin më të mirë. Në këtë rast, Muriqi jo që nuk e ka merituar këtë çmim, por nuk duhet të shfrytëzohet si personalitet për të mbuluar ‘xhelozitë‘ dhe lojërat e fëlliqura të kreut të KOK-ut, shkruan Futbolli.Info.


Në raste të këtilla duhet të lihen anash xhelozitë, të ketë vlerësim të drejtë dhe çmimet të ndahen në bazë të meritokracisë, por duket se kjo i mungon të parit të KOK-ut, i cili është i cektë për të qenë në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm.

Related Articles