Declan Rice është zotuar se do të pijë birrë për herë të parë në jetën e vet, nëse Anglia e fiton Kampionatin Evropian 2020 gjatë kësaj vere.
Mesfushori i West Hamit e pranoi se nuk është adhurues i birrës, por do të bënte përjashtim nëse tre luanët e sjellin trofeun në shtëpi, transmeton Gazeta Express. Rice, 22-vjeçar, pritet të luajë rol të rëndësishëm në ekipin e Anglisë gjatë evropianit, të cilin anglezët e nisin të dielën kundër Kroacisë.
“A e dini se deri më sot unë nuk e kam pirë asnjë birrë dhe jam 22 vjeç. Kjo është e vërteta. S’e kam pirë kurrë në jetë”, tha Rice.
Ai shtoi: “E di se është jashtë temës, por unë kurrë s’kam pirë birrë. Njerëzit habiten. Mua thjesht s’më pëlqen aroma e saj, prandaj kurrë nuk i jam afruar asaj”. I pyetur nëse do ta pijë një birrë nëse Anglia e fiton Euro 2020, Rice tha: “Po, do ta provoj, por ndoshta do ta pështyj!”