Gjendja e punëtorëve në sektorin privat s’ka shënuar ndonjë përmirësim nga vitet e kaluar, ku në shumë ndërmarrje vazhdon të mosrespektohet ligji i punës në tërësi, ka bërë të ditur Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”.
Në konferencën për medie ku është prezantuar raporti i këtij instituti në prag të 1 majit, ditë së punëtorëve, Visar Ymeri, tha se Kosova ka shënuar progres në miratimin e legjislacionit për të drejtat e punëtorëve, por që zbatimi i tij ka ngecur.
“Legjislacioni për të drejtat e punëtorëve është avancuar dhe ka arritur nivel të kënaqshëm mirëpo problemin kryesor është moszbatimi i tij. Kur flasim për pagë minimale ajo nuk ka ndryshuar prej vitit 2011. Kur flasim për shëndetin dhe sigurinë në punë disa prej sektorëve kemi parë përkeqësim në këtë fushë. Mundësitë e barabarta për gra dhe burra mbetet e njëjtë sepse kanë humbur shpresën se mund të punësohen. Dhe çështja e fundit mos respektimi i ligjit të punës”, tha ai.
Ymeri tha se nga të dhënat që kanë marrë nga Inspektorati i Punës del, 12 për qind e tyre s’kanë kontratë pune e të drejtën e pushimit.
“Ne kemi bërë kërkesë te inspektorati i punës del se janë parashtruar 10, 342 ankesa. Shihet që punëtorët në sektorin privat ka shumë ankesa dhe shkelje të ligjit të punës. Gjatë vitit 2020 kanë bërë 3 882 inspektime nga të cilat kanë gjetur 460 punëtorë kanë rezultuar pa kontratë punë. 12% te punëtorëve i bie që nuk kanë kontrata pune e nuk mund të gëzojnë të drejtat e pushimit. Në 39 subjekte punëtorët nuk kanë qenë të informuar për rreziqet e punës siç është sektori i ndërtimtarisë. Gjatë vitit 2020 nga inspektorati është raportuar 105 lëndime të lehta 55 lëndime të rënda, 11 humbje jete. Prej ankesave nga punëtoret 204 sosh kanë pasur të bëjnë me të drejtën e pagës”, tha ai.