Analisti politik Visar Ymeri ka kritikuar qasjen e presidentes Vjosa Osmani dhe deputetit Albin Kurti, duke e cilësuar si “zvarritje të qëllimshme” procesin për organizimin e zgjedhjeve të reja pas mandatimit të Glauk Konjufcës si kryeministër.
Ymeri kujtoi se edhe vetë Konjufca e ka pranuar se nuk është i interesuar të negociojë me subjektet tjera për votat, gjë që, sipas tij, dëshmon mungesën e çdo përpjekjeje reale për dalje nga ngërçi.
“Përgjegjësia e presidentes është dashur të jetë që të thotë: me gjithë vullnetin që e kam për të shmangur zgjedhjet, po duket se ato janë të pashmangshme. Dhe nëse janë të pashmangshme, është e rëndësishme të mbahen sa më shpejt. Kjo zvarritje, nëse del si e tillë, do t’i faturohet si qëllim i keq si Vjosa Osmanit, ashtu edhe Albin Kurtit, sepse po e vonojnë rivlerësimin qytetar të partive politike duke e ditur që nuk ka shpresë për ndryshim,” tha Ymeri në Debatplus.
Sipas Ymerit, vonesat lidhen me përfitime politike për aktorët kryesorë.
“Nëse e dinë që nuk kanë shans, kjo zvarritje deri tash është e qëllimshme. Dhe e dyta, kjo zvarritje për ta është përfitim, jo rrezik për vendin, siç po e paraqesin,” theksoi Ymeri.
