Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, i është vjedhur një shumë e konsiderueshme parash e gjëra me vlerë, ndonëse ai shumën e saktë nuk ia ka treguar as Policisë së Kosovës kur e ka raportuar rastin.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Fatime Sokoli” te banesat e “Prishtina Sun”.
Policia është informuar për rastin pas orës 1 të mesnatës.
“Njësia policore ka shkuar ne atë lokacion dhe kanë kontaktuar me ankuesin Mirsad Adem Shkreta (deputet i Kuvendit të Republikës)”, thuhet në raportin që e ka siguruar Demokracia.com.
Shkreta kishte raportuar në Polici se kishte dalë nga banesa e tij të premten e 23 qershorit dhe kur ishte kthyer në banesë pas orës 1, kishte vërejtur se dikush kishte hyrë në banesë dhe kishte vjedhur gjëra me vlerë.
Deputeti i LVV-së u kishte thënë policëve se ende nuk e di çka i ishte vjedhur.
Policia e Kosovës po dyshon se personi që e ka kryer vjedhjen ka hyrë me çelës në banesë, pasi që Policia nuk kishte gjetur dëshmi që është depërtuar me forcë.
Për rastin ishte informuar me shkrim edhe prokurorja kujdestare.