Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se gjatë kësaj jave në fushat termike dhe ato barike do të ketë rënie në të dy vlerat ekstreme.
IHK njofton se të mërkurën, por edhe ditën e martë në disa zona të veriperëndimit parashihen riga të dobëta shiu, ndërsa kjo situatë e paqëndrueshme parashihet të përsëritet edhe gjatë vikendit, duke sjellë riga shiu.
“Jemi në fund të muajit gusht dhe pothuaj në gjithë territorin kemi deficit të reshjeve. Sasitë e reshjeve si gjithmonë nuk ishin të shpërndara në mënyrë uniforme. Më së shumti reshje kishte në veriperëndim dhe në qendër të vendit me 32mm, pastaj jugu dhe perëndimi regjistruan 19mm reshje, ndërsa lindja, verilindja dhe juglindja regjistruan 7- 11mm reshje. Indeksi UV në jug të vendit mbetet në kufijtë e mesatares, derisa në vendet tjera do të shënoj vlera të larta”.
Temperaturat minimale gjatë këtyre ditëve do të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-28 gradë Celsius.
Do të fryjë erë nga verilindja dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-7m/s.
Kushtet agro-meteorologjike paraqiten të dobëta sidomos në disa vende ku sasia e reshjeve ishte shumë e kufizuar, ndërsa sa i përket kushteve biometeorologjike ato do të jenë relativisht të mira përjashtuar presionin atmosferik i cili mund të ndikoj negativisht te një shtresë e popullatës me sëmundje kronike (asma, hipertension, diabetet etj).