Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi aksidentin tragjik që ndodhi, të dielën, në plazhin e Durrësit.
Turisti 34-vjeçar me shtetësi britanike, Sylvester Obeg, i cili humbi jetën në një aksident detar në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë në ujë.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar shkakun e vdekjes, ndërkohë që shoqja e tij, 31 vjeçe, që ndodhej në motor me të, ka dalë nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas burimeve spitalore, 31-vjeçarja britanike iu nënshtrua kontrolleve të plota mjekësore dhe qëndroi nën vëzhgim për 24 orë në pavionin e sëmundjeve të brendshme të spitalit të Durrësit.
Ajo ka treguar dinamikën e ngjarjes. Pas marrjes me qira të një motorri uji (jet ski), gjatë lëvizjes me shpejtësi dhe një manovre të forte në thellësi, mjeti u përmbys duke zënë poshtë tij 34-vjeçarin që dhe pse ishte me jelek shpëtimi nuk mundi të mbijetojë, raporton TCH.
Ndërkohë, lidhur me ngjarjen policia e Durrësit arrestoi operatorin turistik që ofronte mjetet ujore, nën akuzën e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Ai kishte lejuar viktimën të drejtonte motorin pa leje përkatëse, duke rrezikuar jetën e klientëve të tij. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.