Bashkëpunëtori më i afërt i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Adnan Merovci, ka publikuar një intervistë të cilën e kishte realizuar vetë ai në banesën e tij me patriotin dhe intelektualin e madh, personin që zbuloi eshtrat e heroit Azem Galicës, babain e heroinës Xhevë Lladrovci, Abdyl Krasniqin, më 17 dhjetor 1990.
Krasniqi mes rrëfimit për disa nga ngjarjet tejet të rëndësishme të historisë kishte treguar edhe një ngjarje mjaft interesante të heroit Azem GALICA dhe heroinës Shotë Galica. Bëhet fjalë për disa detaje që kishin ndodhur pikërisht në ditën e martesës së tyre.
Sipas Krasniqit, gjatë ditës së martesës, rrugës teksa Azem Galica kishte marrë Shotë Galicën për grua dhe ishin duke shkuar për në shtëpi, të dy i kishin vendosur nga një testë njëri-tjetrit.
Po qe se njëri nga ta nuk e kalonte, ‘dënimi’ do të ishte i madh.
“Kur është martuar Azem Galica ka shku me marrë Shotën. Në rrugë ka zbritë Azemi, i ka thënë kqyrë Shotë, që s’ma vret atë shenjë pasha neren pa të çu te baba nuk e lë. I thotë Shota, mos Azem, mos se më fike. S’ka, që s’e vretë atë shenjë, kam me të kthy te baba, s’je për mua”, tregoi Krasniqi në emisionin Fakte në KlanKosova.
Sipas Krasniqit, kjo sfidë ishte kryer me sukses nga Shota.
“Kërcen prej kalit Shota, e t’i ndalet shenjës, fije-fije e godet. Eh, qëtash je e imja”, i kishte thënë Azem Bejtë Galica, Shotës.
Por, jo gjithçka përfundoi me kaq. Edhe Shota kishte të njejtën sfidë për Azemin, veçse ‘dënimi’ ndryshonte.
“Shkojnë 100 metra. Kërcen Shota, thotë pasha neren Azem që s’ma vretë atë shenjë atje pasha neren pa u kthy te baba me t’i lënë krushqit…Qe shenja, vraje ose u kry. Kërcen Azemi prej kalit, e ta godet shenjën. Eh, thotë qëtash ne e kemi një gjuhë, e kemi një karakter”, ishte shprehur atë kohë Krasniqi.
Këtë histori të treguar nga Abdyl Krasniqi mund ta dëgjoni në videon e mëposhtme nga minuta 20:30.