Zbulohet e vërteta e vrasjes së 56-vjeçarit nga e bija në Fier – Gjithçka me paramendim

Zbulohet e vërteta e vrasjes së 56-vjeçarit nga e bija në Fier – Gjithçka me paramendim

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja makabër në fshatin Frashër të Fierit, ku vajza vrau babanë me tel.

Sipas burimeve të Top Channel ngjarja dyshohet se është planifikuar sepse para disa ditësh, nënë e bijë e kishin çuar 56-vjeçarin, Anesti Rama në spital për vizitë te kardiologu në mënyrë që të justifikonin vdekjen.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa në orën 01:00 është telefonuar policia.

Emanilda Rama, 26-vjeçarja ka deklaruar në polici se babai ka rënë në tualet dhe vdiq. Së bashku me nënën e kanë larë dhe kanë veshur trupin e pajetë.

Kur ka shkuar në vendin e ngjarjes, policia ka parë mavijosje në qafe nga ku kanë lindur dyshimet se vdekja nuk ishte natyrale.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Fier/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika dhe autorësia e një krimi në familje.

Vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale, arrestohet 26-vjeçarja.

Shoqërohet nëna e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.

Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.

Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.

Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja E. R. ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).

Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit. Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.

53-vjeçarja është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcatuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast. Në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të kësaj shtetaseje.

Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Related Articles