Në kohën kur RTK po përballet me krizë të thellë financiare, ku punëtorët për herë të dytë brenda pak muajsh kanë mbetur pa paga, Hysen Hundozi në mesnatë ka postuar “gabimisht” në Facebook, një dokument që e inkriminon për trajtim të punëtorëve. Dokumenti i publikuar konfirmon se kriza financiare e RTK-së po thellohet edhe me gjoba të tjera.
Hundozi, i cili ka konsumuar dy mandate si ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, vazhdon të qëndrojë në zyrë, edhe pse mandati i dytë i kontestueshëm 6 mujor i ka përfunduar më 31 tetor.
Mbrëmë në mesnatë, ai ka publikuar në story një ankesë që është dorëzuar në Inspektorat të Punës nga ana e RTK-së, pikërisht në ditën kur punëtorët protesuan për paga.

Çfarë përmban ankesa?
Ankesa konfirmon se RTK-ja është gjobitur nga Inspektorati i Punës në rastin e udhëheqëses së marketingut, ku sipas Inspektoratit, RTK-ja e ka diskriminuar në punë. Në ankesë po ashtu kuptohet që IP-ja ka kërkuar nga RTK-ja që ta ndryshojë kontratën e saj të punës.
Diskriminimi hyn në kategorinë e veprave penale.
Siç raporton Indeksonline, Hundozi ka marrë mijëra euro dënime nga Inspektorati i Punës, në të paktën 4 raste.
