Zbulohet identiteti i të riut që dyshohet për vjedhje në shtëpinë e gjyqtarit Kuçi

Zbulohet identiteti i të riut që dyshohet për vjedhje në shtëpinë e gjyqtarit Kuçi

Një vjedhje ka ndodhur mbrëmë në Veternik të Prishtinës, ku cak ishte shtëpia e gjyqtarit në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Agim Kuçi. I dyshuari është kapur nga Policia dhe i njëjti tashmë ndodhet në ndalim policor.

Burimet e sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Florent Ibrahimi.

Gjatë kontrollit, tek Ibrahimi janë gjetur disa mjete shpërthyese si shokbomba, fishekë të armës, mjete të mprehta, por edhe dokumente të cilat dyshohet se i kishte vjedhur në shtëpinë e gjyqtarit Kuçi.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Ështe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer vjedhje në shtëpinë e viktimës mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në çantën e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar disa fishekë, disa shok bomba, dokumente, kartela bankare, monedha, thikë, brisk dhe disa shishe të alkoolit. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim të Policisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles