Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Me një situatë të tillë u përballën dje disa zyrtarë policorë në Vushtrri, pasi një person i kanosi me armë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë njoftuar se i dyshuari është Tahir Gerbeshi, ndaj të cilit kishte urdhërarrest aktiv.
E gjithë ngjarja është zhvilluar në rrugën ‘Rrustem Hyseni Historiani’, pasi zyrtarët policorë kishin tentuar ta ndalin Gerbeshin, i cili ka arritur që me veturën e tij të arrijë t’u shmanget.
Në ikje e sipër, i dyshuari ka drejtuar armën kah policët të cilët i ishin vënë nga pas për ta arrestuar.
Momentalisht nuk dihet vendndodhja e Gerbeshit, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ta kapur sa më shpejt.
Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo i njëjti s’është hasur aty.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.
“Njësitë policore gjatë tentimit për ta ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar, i njëjti është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ku gjatë ikjes ua ka drejtuar zyrtarëve policor armën. Në konsultim me prokurorin është kontrolluar lokacioni i të njëjtit por i njëjti nuk është hasur. Rasti i referohet hetuesisë për procedura të mëtejme hetimore“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.