Zëdhënësi i BE-së konfirmon se Kurti dhe Vuqiq do të takohen ndaras në Bruksel

Zëdhënësi i BE-së konfirmon se Kurti dhe Vuqiq do të takohen ndaras në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë takime të ndara në Bruksel javën e ardhshme.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë për Klankosova.tv se këto vizita nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për qëllim diskutimet e tyre rreth synimeve drejt anëtarësimit në BE dhe bashkëpunimit me institucionet e Unionit.

Vuçiq do të pritet në Bruksel më 26 prill derisa mediat në Beograd raportuan se qëllimi i vizitës dhe bisedimeve midis kreut të shtetit serb dhe zyrtarëve më të lartë të BE-së do të jetë përshpejtimi i integrimit europian i Serbisë dhe se ai po shkon në Bruksel me ftesë të kryediplomatit europian, Josep Borrell, i cili do të organizojë një drekë pune për delegacionin e lartë nga Beogradi.

Ndërkaq, agjenda dhe se me kënd do të takohet kryeministri Kurti ende nuk janë bërë publike.

“Për takimet e tij për javën e ardhshme do të njoftohet të premten”, ka thënë Stano për portalin.

Në mesin e temave të diskutuara të Kurtit me krerët e lartë europianë mund të jetë edhe dialogu Kosovë-Serbi, i cili është ndërprerë në dhjetor të vitit të kaluar.

BE po pret nga Qeveria e Kosovës që të ketë vëmendjen e plotë ndaj dialogut me Serbinë dhe ta konsiderojë atë si prioritetin kryesor të politikës së jashtme.

“Kur bëhet fjalë për prioritetet e Qeverisë, nuk ka konkurrencë në mes prioriteteve individuale. Prioritetet e brendshme të Kurtit janë shumë të rëndësishme. Por, në të njëjtën kohë dialogu është prioriteti më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Kosovës dhe nuk duhet të shihet si i ndarë apo që s’përputhet me prioritetet tjera që i ka përmendur kryeministri”, pati thënë Stano për Klankosova.tv.

Related Articles