Zëdhënësi i KFOR-it: Në Zveçan kishte rrezik që dikush edhe të vritet

Zëdhënësi i KFOR-it: Në Zveçan kishte rrezik që dikush edhe të vritet

Zëdhënësi i KFOR-it, Andrea Gallieni, deklaroi se trupat e KFOR-it në veri kanë parandaluar eskalim të situatës nga protesta sepse kishte rrezik për jetën dhe që dikush të vritej.

Duke folur në konferencë për media, ai u shpreh se me datën 29 maj në komunën e Zveçanit u zhvillua një protestë e madhe dhe duke u përpjekur për të ndërhyrë ndërmjet palëve, ushtarët e KFOR-it u përfshinë në protesta të dhunshme.

Andrea Gallieni shtoi se gjatë protestës, shumë ushtarë janë lënduar nga gurët e gjuajtur, mjete shpërthyese të improvizuara dhe nga përdorimi i armës.

Sipas tij, ishte e qartë që kishte njerëz që donin të protestonin në mënyrë paqësore, por dhe që prapa tyre po fshiheshin grupe kriminale që donin t’i sulmonin trupat e KFOR-it.

“Pas kësaj proteste të madhe, shumë ushtarë nga kontingjenti italian dhe hungarez u lënduan nga gurë dhe mjetet shpërthyese. Ata tani janë transportuar në vendet e tyre për të vazhduar me trajtimet e mëtutjeshme mjekësore”.

“Në emër të komandantit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ne jemi të kënaqur me sjellën e kontingjentit sepse ndërhyrja e tyre ndërmjet palëve shmangi një problem të madh mes serbëve dhe shqiptarëve sepse aty mund të kishte probleme me rrezik për jetën e që dikush edhe të vritej”.

Gallieni bëri të ditur se pas 29 majit, NATO vendosi që të forcojë ushtarët e KFOR-it duke i dërguar trupa shtese, dhe nga 5 qershori rreth 500 ushtarë nga kontigjenti turk u nisën për në Kosovë, të cilët tashmë po trajnohen për t’u bërë gati për t’i mbështetur trupat e KFOR-it dhe se do të jenë në Kosovë deri sa të jetë e nevojshme.

Related Articles