Zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel, Steffen Seibert është shprehur kundër ndryshimit të kufijve, në Ballkan.
Ai është pyetur nga Deutsche Welle se a ka pasur qeveria gjermane vija të kuqe që nuk duhen të shkelen në rast të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Ju lutemi kuptoni që ne zakonisht nuk komentojmë dokumente jozyrtarë por sa u përket spekulimeve që qarkullojnë aktualisht në media për ndryshimin të kufijve në Ballkanin Perëndimor përgjatë vijave etnike, nga pozita e Qeverisë Federale unë mund t’ju them se ne e konsiderojmë shumë të rrezikshme.”
Ai tutje tha se ndryshime të tilla të kufijve e rrisin paqëndrueshmërinë e rajonit, krijojnë tensione të reja dhe deri në rikthimin e konflikteve të së kaluarës.
“Si qeveri, ne vazhdojmë të promovojmë rrugën e integrimit evropian e transantlantik të vendeve në rajon, bazuar në demokraci, në shtetin e së drejtës dhe në multietnicitet”, tha Seibert më tej dhe shtoi: “I inkurajojmë vendet e Ballkanit Perëndimor që të vijojnë axhendën e reformave e të përqendrohen sidomos në drejtësi dhe shtetin e së drejtës, në luftën kundër korrupasionit dhe krimit të organizuar. ”
Edhe zëdhënësi i ministrisë së punëve të jashtme, Christian Burger, kujtoi me këtë rast se edhe ministri i jashtëm Heiko Maas (SPD), gjatë vizitës së tij javën e kaluar në Prishtinë e Beograd, e hodhi poshtë në mënyrë kategorike idenë e ndryshimit të kufijve.