Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, bën thirrje që situata për targat të mos e pengojë dialogun e normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Qeveria gjermane është e zhgënjyer që kryeministri i Kosovës, Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, nuk arritën të hënën të bien dakord për një zgjidhje të krizës aktuale”, tha ai të mërkurën pasdite në konferencën e rregullt për shtyp të qeverisë gjermane, duke iu përgjigjur kështu një pyetjeje të Deutsche Welles.
Ai ka kërkuar të gjendet një zgjidhje për targat ilegale.
“Të arrihet një zgjidhje për krizën”
Hebestreit e përshëndeti faktin që Kurti e shtyu afatin për marrjen e masave ndëshkuese dhe bëri thirrje që kjo kohë të shfrytëzohet për arritjen e një zgjidhjeje:
“Është mirë që qeveria në Kosovë ka vendosur që t’i pezullojë për 48 orë masat ekzekutive, pra vendosjen e gjobave. Është me rëndësi që kjo periudhë të shfrytëzohet për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme në këtë mosmarrëveshje, çka do të sillte edhe përshkallëzim të situatës.”
Hebestreit apeloi te qeveria e Kosovës që të mos vërë gjoba në këtë periudhë.
“Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë asnjë masë ekzekutive që ka të bëjë me shkëmbimin e targave, në mënyrë që të mos pengohet një zgjidhje e qëndrueshme.”
Hebestreit më tej vuri në dukje domosdoshmërinë e arritjes sa më shpejt të një marrëveshjeje në dialog.
“Përshkallëzimi aktual tregon edhe një herë se sa urgjent është progresi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy shteteve.”
“Qeveria Federale mbështet përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së për punët e jashtme dhe të të dërguarit të posaçëm Lajçak, për të harmonizuar dialogun mes këtyre dy vendeve në këtë çështje”.
“Apeli ynë për qeveritë e të dy vendeve është që të angazhohen në mënyrë konstruktive për këtë çështje. Sipas qeverisë gjermane, në agjendën e dialogut duhet të hyjë edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe”.