Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se skandalet e qeverisë arrogante nuk e trembin atë që të merret me të shkuarën si zëvendësim për progresin sot dhe mburret derisa vendit i ka sjellë ndëshkim e izolim, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se VV është ne dëlir të propagandës për të shtrembëruar realitetin, derisa përmes spektaklit po tenton t’i vë në gjumë qytetarët.
Postimi i saj i plotë:
Presidenti Francez Emanuel Macron vë në pikëpyetje liberalizimin e vizave për Kosovën dhe pasoja ekonomike për Serbinë, nëse dy shtetet nuk lëvizin drejt normalizimit. Prindërit janë në ankth me konfuzitetin e shkaktuar me tekstet shkollore e koston e lartë të përditshmërisë së tyre. Në The Economist faqen e paguar me taksat e qytetarëve, deputetët e partisë në pushtet e shesin si lëvdatë të prestigjiozes londineze, për kinse “boom-in” ekonomik të vendit duke akuzuar mediat. Skandalet e njëpasnjëshme nuk e trembin Qeverinë arrogante që merret me të shkuarën si zëvendësim për progresin sot. Qeveria e Kosovës mburret derisa i ka sjellë vendit ndëshkim e izolim.
Partia në pushtet në dëlir të propagandës për të shtrembëruar realitetin, ka krijuar një version të tipit tik tokian të qeverisjes.
Guy Debord shkruante se spektakli është ëndrra e keqe e shoqërisë së prangosur, që nuk shpreh tekembramja gjë pos dëshirës së saj për të fjetur, e spektakli është roja e këtij gjumi.
Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet spektaklit mund të tentojë t`i vë qytetarët në gjumë, por ata në një mëngjes të zymtë mund të zgjohen dhe të kërkojë të vërtetën.
T’i thonë ndal mashtrimit.