Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike të dielën me homologun e tij nga Turqia, Rexhep Tajip Erdogan, raportoi BBC-ja.
Përmes një postimi në Twitter, Zelensky e ka cilësuar këtë bisedë të rëndësishme, pasi është theksuar nevoja për evakuim të menjëhershëm të civilëve nga Mariupoli.
“Në prag të bisedimeve të tij me [presidentin rus Vladimir] Putinin, unë theksova nevojën për evakuim të menjëhershëm të civilëve nga Mariupoli, duke përfshirë Azovstalin, dhe shkëmbim të menjëhershëm të trupave të bllokuara”, ka shkruar Zelensky.
Të shtunën, presidenti ukrainas kërcënoi se do të tërhiqej nga çdo negociatë me Moskën nëse trupat ruse do të shkatërronin ukrainasit e strehuar në fabrikën e çelikut Azovstal, zonë e madhe industriale në Mariupol.