Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u është drejtuar mijëra protestuesve në të gjithë Italinë, ndërsa protestat pro-ukrainase u zhvilluan në disa qytete, duke përfshirë Torinon dhe Firencen.
Firence është binjakëzuar me Kievin që nga vitet 1960, kur kryeqyteti i Ukrainës dërgoi ndihma në qytetin toskan për ta ndihmuar atë të rimëkëmbet nga një përmbytje shkatërruese.
Protestuesit në qytet valëvitën flamujt ukrainas.
Në fjalën e tij, Zelensky ka thënë se 79 fëmijë ishin vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Ai bëri thirrje për më shumë sanksione kundër Moskës dhe u kërkoi udhëheqësve perëndimorë të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi vend.