Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të hënën se do ta konsiderojë vendosjen e përkohshme të forcave të huaja ushtarake në tokën ukrainase derisa vendi të bëhet anëtar i NATO-s, si mënyrë për ta siguruar vendin e tij si pjesë e marrëveshjes për paqe me Rusinë.
Duke folur më 9 dhjetor në një konferencë të përbashkët në Kiev me liderin opozitar të Gjermanisë, Freidrich Merz, Zelensky tha se për të qenë Ukraina e sigurt, nuk nevojitet vetëm anëtarësimi në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian gjithashtu, në mënyrë që të frenohej agresioni nga Moska.
“Një kontingjent i forcave ushtarake nga një vend apo tjetër mund të qëndrojnë në Ukrainë derisa ajo të bëhet anëtare e NATO-s”, tha Zelensky, duke lënë të nënkuptohet se Kievi është i hapur për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për luftën ruse gati tri vjet të gjatë.
Deklarata e Zelenskyt u bën jehonë diskutimeve të mëparshme këtë vit, kur presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri thirrje për vendosjen e forcave evropiane në Ukrainë.
Derisa Zelensky pranoi se konsultimet mbi këtë çështje janë duke vazhduar, ai theksoi se dhënia e garancive absolute të sigurisë për Ukrainën është e rëndësishme.