Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka kërkuar liderëve evropianë që të vendosin sanksione ndaj të gjitha bankave dhe naftës ruse, duke u thënë atyre “ne s’mund të presim”.
Gjatë fjalimit të tij në parlamentin e Lituanisë, lideri ukrainas bëri thirrje për sanksione ndaj të gjitha bankave ruse, duke i kërkuar Evropës që të “heqë qafe naftën e tyre”.
Ai vazhdoi duke thënë “ata e dinë se do të mbeten të pandëshkuar pasi Evropa ende preferon bashkëpunimin e vazhdueshëm, tregtinë, biznesin si zakonisht”.
“Ne nuk mund të presim. Ne kemi nevojë për vendime të fuqishme dhe BE-ja duhet t’i marrë ato tani. Ata duhet të sanksionojnë naftën dhe gjithë bankat ruse”, tha Zelensky.
“Çdo shtet i BE-së duhet të vendosë kushte se kur do të refuzojë ose kufizojë burimet (ruse) të energjisë si gazi. Vetëm atëherë qeveria ruse do të kuptojë se duhet të kërkojë paqen, se lufta po kthehet në një katastrofë për ta”.
Javën e kaluar, BE miratoi një raund të pestë të sanksioneve ndaj Rusisë, i cili përfshinte fundin e importeve ruse të qymyrit, mes akuzave për krime lufte që po kryheshin nga forcat ruse.