Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Rusisë që të nisë tërheqjen e trupave nga Ukraina deri në festën e Krishtlindjes, raportoi BBC-ja të hënën. Kjo sipas Zelenskyt, do të demonstrojë dëshirën e Kremlinit për paqe, dhe jo për vazhdim të agresionit.
Me mesazhin drejtuar liderëve të vendeve të G-7 (SHBA, Japoni, Gjermani, Francë, Britani e Madhe, Kanada dhe Itali), kreu ukrainas tha se Kievi është i gatshëm të përdorë diplomacinë për t’i dhënë fund luftës.
“Ukraina ka qenë gjithmonë lidere e përpjekjeve për negociata dhe ka bërë gjithçka për të ndaluar agresionin rus. Dhe tani, ne ndjejmë mundësinë të përdorim diplomacinë për të sjellë më afër çlirimin e të gjithë njerëzve tanë, të gjithë territoreve tona”, tha Zelensky.
Ai po synon të thërrasë një samit të veçantë, Samitin Global të Formulës së Paqes, për të vendosur se si dhe kur do të zbatohen 10 pikat “e paqes” në Ukrainë.
Këto pika përfshijnë tërheqjen e trupave ruse, ngritjen e një gjykate kundër Kremlinit dhe marrjen e garancive të sigurisë nga Ukraina.
“Ne propozojmë që Rusia të ndërmarrë një hap konkret dhe kuptimplotë drejt një zgjidhjeje diplomatike, për të cilën flitet kaq shpesh në Moskë. Do të ishte e drejtë të fillonte tërheqja e trupave ruse nga territori i njohur ndërkombëtarisht i Ukrainës këtë Krishtlindje. Nëse Rusia tërheq trupat e saj nga Ukraina, do të sigurohet edhe ndalimi i besueshëm i armiqësive”, tha ai.
Zelensky iu bëri thirrje vendeve të G-7 që ta mbështesin Ukrainën me tanke moderne.
“Unë ju bëj thirrje që të rrisni ndihmën për Ukrainën në çështjen e gazit. Terrori kundër termocentraleve tona ka bërë që ne të përdorim më shumë gaz se sa ishte menduar. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për mbështetje shtesë – këtë dimër”, u shpreh ai.
Luftimet po vazhdojnë në territoret ukrainase.