Zelensky nënshkruan tri pakte të sigurisë gjatë samitit të BE-së

Zelensky nënshkruan tri pakte të sigurisë gjatë samitit të BE-së

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar marrëveshje të sigurisë me Bashkimin Evropian, Estoninë dhe Lituaninë gjatë nisjes së samitit dyditor të bllokut në Bruksel.

Marrëveshja e sigurisë me BE-në përforcon mbështetjen e bllokut për Kievin në nëntë fusha të politikës së sigurisë dhe mbrojtjes.

Në draftin e marrëveshjes, thuhet se BE-ja dënon luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe shprehet mbështetja për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si dhe e drejta e Kievit për t’u mbrojtur nga agresioni rus.

Po ashtu thuhet se BE-ja mbështet reformat e Ukrainës dhe rrugën drejt pranimit në bllok, duke shtuar se ndihma e BE-së për Ukrainën është pothuajse 100 miliardë euro, përfshirë 35 miliardë euro në mbështetje ushtarake.

“Rusia nuk duhet të triumfojë” në luftën kundër Ukrainës që e nisi në shkurt të vitit 2022, thuhet në draft, ku shtohet se Ukraina duhet të rimarrë territorin e aneksuar nga Moska. Po ashtu aty listohen një sërë zotimesh për dhënien e pajisjeve ushtarake, për ofrimin e trajnimeve ushtarake dhe bashkëpunimin mes industrisë së mbrojtjes të Ukrainës dhe BE-së.

Marrëveshjet që Zelensky nënshkroi me Lituaninë dhe Estoninë gjatë samitit të BE-së, synojnë të plotësojnë marrëveshje të tjera të ngjashme që Ukraina ka arritur me aleatët. Ato nuk janë pakte të ndërsjella të mbrojtjes, por në to përfshihen zotime për t’i ofruar Ukrainës armë dhe ndihmë tjetër dhe për të parandaluar ndonjë pushtim tjetër në të ardhmen.

Ceremonia e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve hapi edhe takimin e Këshillit Evropian, ku marrin pjesë liderët e 27 shteteve të BE-së, të cilët mbajnë takimin e parë zyrtar që nga zgjedhjet evropiane të 6-9 qershorit

Related Articles