Avioni i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në aeroportin Stansted, në Mbretërinë e Bashkuar, pas takimit të tij të tensionuar me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Mediat britanike shkruajnë se Zelensky ishte prezent në bordin e avionit, i cili është i njëjti mjet që çoi atë në Uashington DC.
Mësohet se në Londër, Zelensky do të marrë pjesë në një samit të madh të organizuar nga kryeministri britanik Keir Starmer.
Starmer do të mbajë një takim me liderët evropianë në Downing Street të dielën, për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën dhe se si mund të planifikohen hapat e ardhshëm. Ky samit ka si qëllim përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në çdo marrëveshje të mundshme paqeje.
Por shpresat për një unitet të plotë midis kombeve evropiane dhe SHBA për të ardhmen e Ukrainës janë dëmtuar pas tensioneve mes Trump dhe liderit të Ukrainës.
Zelensky pritet të takohet këtë pasdite dhe me kryeministrin britanik, Keir Starmer.
Pas takimit të djeshëm, në një reagim në rrjetin social X, Zelenskyy shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA-së, por theksoi se Ukraina ka nevojë për më shumë përkushtim nga ana e Amerikës.
“Jam mirënjohës ndaj SHBA-së dhe Presidentit Trump për mbështetjen e tyre, e cila ka qenë jetike për të mbijetuar,” shkroi Zelenskyy. “Por është e rëndësishme që të jemi të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin për të kuptuar qëllimet tona të përbashkëta.”
Zelenskyy theksoi se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet e Ukrainës me Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për të siguruar garanci sigurie për vendin e tij. “Por kjo nuk është mjaftueshëm,” shtoi ai. “Një armëpushim pa garanci sigurie është i rrezikshëm për Ukrainën.”
Në fund të deklaratës së tij, ai theksoi se SHBA duhet të qëndrojë më fort në anën e Ukrainës, pasi pa mbështetjen e Amerikës, do të jetë shumë më e vështirë për Ukrainën të arrijë qëllimet e saj.
“Do të jetë e vështirë pa mbështetjen e SHBA, por ne nuk mund të humbasim vullnetin, lirinë apo popullin tonë”, tha Zelensky.