Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka reaguar pasi presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, pasi ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.
“Kushtoni vëmendje Ballkanit. Më besoni, kemi informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme do të jetë Ballkani, e nëse vendet e botës nuk ndërmarrin diçka, do të ketë një shpërthim të tillë. Kjo është arsyeja pse Rusia do të sigurohet se një vend i Ballkanit (të jetë) në luftë me një tjetër”, tha Zelensky.
Kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime të shumta në platformën “X”, nga akterë ndërkombëtar të cilët kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar.
Deputetja britanike, Alicia Kearns, përmes një postimi në platformën “X”, ka përsëritur paralajmërimet e saj të mëparshme për nevojën e një strategjie të qartë dhe të përbashkët në Ballkan.
“Kam paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se duhet të gjejmë ‘shtyllën kurrizore’ në Ballkan dhe të mos përsërisim dështimet e parandalimit. Ballkani është oborri ynë dhe ne kemi përgjegjësi historike. Paralajmërova në muajin qershor për atë që mund të shohim në Kosovë, por u hedh poshtë. Me keqardhje, shqetësimet e mia u realizuan”, ka shkruar ajo.