Zelensky pas bisedës me Trump: Nuk do të ketë ultimatume, nuk dorëzojmë tokën tonë

Zelensky pas bisedës me Trump: Nuk do të ketë ultimatume, nuk dorëzojmë tokën tonë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se ka zhvilluar një bisedë të dytë me presidentin amerikan Donald Trump, pasi ky i fundit kishte komunikuar me presidentin rus Vladimir Putin për mundësinë e përfundimit të luftës.

Gjatë deklaratës së tij, Zelensky theksoi qëndrimin e palëkundur të Kievit për të mos tërhequr trupat nga territoret e pushtuara.

“Ne nuk do t’i tërheqim trupat tona nga territoret tona, është detyra ime kushtetuese, e forcave tona. Nuk do të ketë ultimatume, askush nuk do të dorëzojë tokat e veta, njerëzit e shtëpitë e veta. Nuk e di se cilat janë parimet e memorandumit të përmendur nga Putini, por nëse Rusia vendos kushte për tërheqjen e trupave tona nga toka jonë – kjo do të thotë se ata nuk duan që lufta të mbarojë. Sepse ata e kuptojnë qartë se Ukraina nuk do ta bëjë këtë”, u shpreh Zelensky.

Sipas presidentit ukrainas, Trump beson se Rusia është e gatshme për kompromise dhe se nisja e negociatave të drejtpërdrejta midis Kievit dhe Moskës është prioritet për presidentin amerikan. Ai theksoi se një armëpushim do të ishte hapi i parë për të provuar vullnetin e vërtetë të Rusisë për paqe.

“Unë e kuptoj që SHBA-të e diskutuan këtë me Putinin, me palën ruse; se formati dypalësh mund të çojë në një memorandum, i cili më pas mund të krijojë një plan veprimi për t’i dhënë fund luftës, domethënë, në një marrëveshje. Një memorandum që do të mbështetej nga të gjitha ose të dyja vendet, i cili do të përfshinte edhe një armëpushim. Nuk kam dijeni për një gjë të tillë për momentin. Nëse Rusia propozon një memorandum, ne do të jemi në gjendje të formulojmë vizionin tonë”, deklaroi Zelensky.

Related Articles