“Është thelbësore që Shtetet e Bashkuara të mos e tërheqin presidentin rus Vladimir Putin nga izolimi politik dhe ekonomik”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për Eurovision News.
Deklarata e Zelensky vjen pasi Rusia dhe Ukraina ranë dakord të zbatojnë një armëpushim të pjesshëm të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe armiqësive në Detin e Zi.
Në këmbim, SHBA ranë dakord të zgjerojnë aksesin e Rusisë në tregjet globale.
“Është shumë e rëndësishme që Amerika të mos e ndihmojë Putinin të dalë nga ky izolim global tani. Unë besoj se ky është i rrezikshëm. Ky është një nga momentet më të rrezikshme”, tha Zelensky.
Ai pretendon se Putini shpreson të “mbesë në pushtet deri në vdekjen e tij”, por gjithashtu se ambiciet e tij nuk kufizohen vetëm në Ukrainë, por mund të çojnë në “konfrontim të drejtpërdrejtë me Perëndimin”.
Zelensky u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që të qëndrojnë të bashkuar në ushtrimin e presionit ndaj Putinit.
“Udhëheqësi rus i frikësohet aleancës evropiano-amerikane dhe shpreson ta ndajë atë. Putini gjithashtu i frikësohet vdekshmërisë së tij,” beson Zelensky.
“Ai do të vdesë së shpejti, ky është një fakt dhe gjithçka do të përfundojë,” shtoi ai, sipas Kyiv Independent.
Në një deklaratë të lëshuar pas raundit të fundit të bisedimeve me një delegacion rus në Arabinë Saudite, SHBA premtoi të lehtësonte disa kufizime ekonomike ndaj Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje për një armëpushim të kufizuar.
Zelensky tha se armëpushimi i kufizuar në Detin e Zi ishte “padyshim një hap drejt përfundimit të luftës”, por theksoi angazhimin e Ukrainës për një ndërprerje të pacaktuar të armiqësive. “Në përgjithësi ishim gati për një armëpushim të plotë”, përfundoi ai.