Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se terroristët rusë po përgatisin sulme të reja, derisa tha se kjo javë do të jetë “po aq e vështirë sa e kaluara”.
Siç raportoi BBC-ja të hënën, Zelensky u shpreh se për sa kohë që Rusia ka raketa, nuk do të ndalet që sulmuari.
“Ndihma jonë e ndërsjellë është një nga elementet e mbrojtjes kundër terrorit dhe forcës sonë. Forcat tona të mbrojtjes janë duke u përgatitur. I gjithë shteti po përgatitet. Ju lutem, mos i lini pa ndihmë ata që mund t’i ndihmoni. Dhe ju lutem kushtojini vëmendje sinjaleve paralajmëruese ajrore gjatë javës”, u shpreh ai.
Qyteti ukrainas, Khersoni, po vazhdon të bombardohet nga Rusia, pavarësisht se javë më parë është çliruar nga trupat ukrainase. Ndërsa, në Kiev është shënuar mungesë e madhe e furnizimit me energji elektrike, pasi sipas Ukrainës, rusët i kanë shkatërruar centralet që bëjnë shpërndarjen e energjisë.