Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të martën se Kievi është i gatshëm të avancojë me një marrëveshje paqeje të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe se pret të diskutojë elementet më të ndjeshme të saj me presidentin amerikan, Donald Trump.
Ai theksoi se në këtë proces duhet të përfshihen domosdoshmërisht edhe aleatët evropianë.
Duke folur para asaj që e quajti “koalicioni i vullnetshëm”, Zelensky shtoi se Ukraina po përgatit terrenin për hapat e ardhshëm drejt paqes, por mbështetja e partnerëve perëndimorë duhet të jetë e vazhdueshme, pasi Rusia ende nuk ka shfaqur asnjë shenjë gatishmërie për t’i dhënë fund luftës.
Në fjalimin e tij, një kopje e të cilit u sigurua nga Reuters, presidenti ukrainas u bëri thirrje liderëve evropianë të punojnë së bashku për krijimin e një kornize që do të mundësonte vendosjen e një “force sigurie” në Ukrainë – një komponent kyç që, sipas tij, do të forconte mbrojtjen dhe do të siguronte stabilitet deri në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Zelensky e përshkroi momentin aktual si kritik dhe paralajmëroi se pa përfshirjen e plotë të aleatëve, çdo marrëveshje paqeje rrezikon të mbetet e pambrojtur ndaj presionit rus.
Ai theksoi se Ukraina është e përgatitur të negociojë, por vetëm në kushte që garantojnë sigurinë dhe sovranitetin e saj.
“Ne jemi gati të diskutojmë të gjitha pikat, përfshirë ato më të ndjeshmet, me presidentin Trump”, tha Zelensky, duke shtuar se bisedimet duhet të jenë të koordinuara me partnerët evropianë për të siguruar një qëndrim të përbashkët dhe të fortë.
Me luftën që vazhdon të sfidojë qëndrueshmërinë e Ukrainës, Zelensky u bëri thirrje vendeve të Perëndimit të mos hezitojnë në angazhimin e tyre.
Sipas tij, koalicioni ndërkombëtar që mbështet Kievin duhet të mbetet i bashkuar përballë një Moske që nuk ka treguar asnjë sinjal gatishmërie për të ulet sinqerisht në tryezën e paqes.
