Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pranuar për herë të parë publikisht se trupat e shtetit të tij janë aktive në rajonin Belgorod të Rusisë.
“Ne vazhdojmë të kryejmë operacione aktive në zonat kufitare në territorin e armikut dhe kjo është absolutisht drejtësia – lufta duhet të rikthehet aty nga erdhi”, ka thënë ai.
Komentet e tij po ashtu i referoheshin edhe rajonit Kursk në Rusi, ku Ukraina mban ende një pjesë pas ofensivës së madhe vitin e kaluar. Moska ka kthyer shumicën e territorit.
Zelensky ka thënë se “qëllim kryesor” ishte të mbrohen rajonet kufitare ukrainase Sumy dhe Kharkiv dhe “të lirohet presioni” në pjesët tjera të vijës së frontit, sidomos në rajonin Donetsk.
Ushtria ruse muajin e shkuar raportoi se Ukraina ka tentuar të kalojë në rajonin Belgorod – por sipas saj, këto përpjekje kanë dështuar.
Presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022. Moska aktualisht kontrollon rreth 20 për qind të territorit ukrainas.
Në një videoadresim të hënën vonë, Zelensky u shpreh se ka marrë informata nga gjenerali Oleksandr Syrskyi për situatën në front “përfshirë praninë në rajonet Kursk dhe Belgorod”.
Zelensky ka falënderuar njësitet ushtarake që mbrojnë Ukrainën, përfshirë regjimentin “225 Assault” që ka hyrë në rajonin Belgorod.