Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vetëm Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë për të bindur Rusinë që të vendosë fundin e luftës, ndërkohë që përfaqësues nga Moska dhe Kievi pritet të nisin një raund të ri bisedimesh në Majami.
“Besoj se SHBA dhe Presidenti Trump kanë këtë fuqinë. Dhe mendoj se nuk duhet të kërkojmë alternativa përveç SHBA-ve”, tha Zelensky, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve mbi deklaratën e Presidentit francez Emmanuel Macron se Europa duhet të fillojë bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë nëse përpjekjet e Uashingtonit dështojnë.
Ai shtoi se Ukraina do të mbështesë propozimin e SHBA-ve për bisedime trekëndëshe (Rusi-Ukrainë-SHBA), nëse kjo mund të lehtësojë shkëmbimin e të burgosurve dhe të hapë rrugën për një samit të udhëheqësve.
“SHBA-ja propozon tani një takim trekëndësh të këshilltarëve për sigurinë kombëtare. Nëse një takim i tillë mund të çojë në shkëmbim të të burgosurve të luftës ose në një marrëveshje për një takim të udhëheqësve, ne do ta mbështesim”, tha Zelensky, duke shtuar se megjithatë nuk është i bindur se një takim i tillë do të sjellë “diçka të re”.
Presidenti ukrainas theksoi gjithashtu se SHBA duhet të intensifikojë presionin ndaj Rusisë. “SHBA duhet ta thotë qartë: nëse nuk ka rrugë diplomatike, do të ketë presion të plotë”, duke iu referuar mundësisë së dërgimit të më shumë armëve në Ukrainë ose zgjerimit të sanksioneve ndaj ekonomisë ruse.
Zelensky shtoi se një kompromis midis palëve mund të ishte ndalimi i luftimeve në vijat aktuale të frontit, duke nënvizuar se kontrolli i Ukrainës mbi pjesën e Donbasit që nuk është e pushtuar është një “pozicion parimi” për Kievin. Sa i përket krijimit të një zone ekonomike të lirë në Donbas, ai theksoi se vendimin do ta marrë populli ukrainas.
