Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi ashpër vonesën njëjavore të Rusisë në përgatitjen e një propozimi për zgjidhje paqeje, duke e cilësuar si një tallje me komunitetin ndërkombëtar.
Ai reagoi pas refuzimit të presidentit rus Vladimir Putin për të mbështetur një armëpushim të plotë gjatë një bisede telefonike me presidentin amerikan Donald Trump më 19 maj.
Në vend të armëpushimit, Kremlini propozoi hartimin e një “memorandumi” për një zgjidhje të ardhshme, ndërsa Zelensky nënvizoi nevojën për një armëpushim të menjëhershëm dhe hapa diplomatike konkrete drejt paqes.
“Kur rusëve iu desh një javë për të formuluar memorandum, kjo është tallje me të gjithë botën,” tha Zelensky, duke shtuar se Moska vazhdon të bllokojë çdo përparim domethënës përveç shkëmbimit të të burgosurve.
Ai theksoi se çdo ditë në luftë sjell humbje jete dhe se bota duhet t’i numërojë viktimat që Rusia nuk i llogarit. Presidenti ukrainas bëri thirrje për sanksione të reja kundër Rusisë dhe falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme.