Lideri ukrainas Volodomyr Zelenskyy ka dhënë më shumë detaje rreth bisedës së tij të zhvilluar me presidentin amerikan Donald Trump.
Përmes një postimi në X, Zelensky ka thënë se ishte një “bisedë e rëndësishme dhe e frytshme” me presidentin amerikan, ndërsa tregon se e ka uruar atë dhe popullin amerikan me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Ai më tej duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës, ka treguar se me presidentin kanë diskutuar për situatën aktuale, përfshirë sulmet ajrore ruse dhe zhvillimet më të gjera në vijën e frontit.
“Presidenti Trump është shumë i informuar dhe e falënderoj për vëmendjen që i kushton Ukrainës. Folëm për mundësitë në mbrojtjen ajrore dhe ramë dakord të punojmë së bashku për të forcuar mbrojtjen e hapësirës sonë. Po ashtu, u dakorduam për një takim mes ekipeve tona,” ka thënë Zelensky.
Ai gjithashtu ka shtuar se me Trump kanë foluar detajisht edhe për “kapacitetet e industrisë së mbrojtjes dhe prodhimin e përbashkët”.
“Jemi të gatshëm për projekte të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara dhe besojmë se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë, sidomos sa i takon dronëve dhe teknologjive të lidhura me to,” ka shkruar Zelenskyy.
Tutja ai ka thënë se janë prekur edhe çështje të prokurimit dhe investimeve të ndërsjella, ndërsa me Trump, kanë shkëmbyer edhe “mendime për situatën diplomatike dhe bashkëpunimin me SHBA-në dhe partnerët e tjerë”.