Ish ministri i Shëndetësisë, tashmë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka komentuar vendimin e fundit të Qeverisë, për aplikimin e masës së reciprocitetit për targa për shtetin e Serbisë.
Zemaj tutje deklaroi se ky vendim ka anën pozitive dhe atë negative.
Zemaj pohoi se vendimi për reciprocitet me targa është marrë në kohë të fushatës zgjedhore dhe kur numrat e infeksioneve janë të larta.
“Ana pozitive është se Qeveria është kthyer në bazamentin institucional, në atë që vetë e ka kundërshtuar – do të thotë marrëveshjet që vetë i ka quajtur të dëmshme, dhe i ka quajtur në favor të Serbisë dhe jo në favor të Kosovës, dhe kjo është demantuar nga këto veprime. Tash se si ka ardhur te veprimi, ka ardhur në një kohë kur qeveria është që gjashtë muaj në të njëjtën gjendje, në kohë fushate, kohë kur numrat e infeksioneve janë të lartë”.
“Të marrëveshjet që janë ndërkombëtare, që kanë garanci ndërkombëtar dhe mes shteteve, gjithmonë është një lloj paralajmërimi për një veprim të caktuar, nëse ka barrikadim në mos marrjen e këtyre veprimeve atëherë janë organet kompetente ligjore që duhet ndërmarrë masat, për këtë do të ishim edhe ne të kënaqur dhe përkrahës në këtë drejtim”, është shprehur Zemaj në “Përballje”.
Zemaj shtoi tutje se “akoma vazhdon të ketë nuanca të politizimit të kësaj çështje, jo të veprimit institucional që do të duhej të kishte me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe vendin agresor siç është Serbia”.
Megjithatë, deputeti i LDK-së, potencoi se tani është e rëndësishme të respektohen institucionet e Kosovës, teksa tha se kryeministri Albin Kurti ka zbutur qëndrim ndaj Goran Rakiq.
“Kryeministri e zbuti qëndrimin ndaj Rakiqit, na është dukur e çuditshme, por tashmë Rakiq është shndërruar në partner serioz”, tha mes tjerash ai.
Gjatë bisedës, Zemaj foli edhe për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 17 tetor, duke shtuar se janë duke bërë një fushatë moderne.
“Po punojmë shumë, ka organizim, fushatë moderne, premtime të bazuara me njerëz kredibil, jo vetëm që ka ambicie për komuna të mëdha, por ka edhe sondazhe e gjëra tjera”, tha ai.