Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar ashpër qeverinë në seancën e jashtëzakonshme për ambalazhuesit e ujit, duke iu referuar lidhjeve të ngushta të saj me individë të përfshirë në korrupsion.
Ai përmendi bisedat e publikuara mes Dejona Mihalit, Nagip Krasniqit dhe Mimoza Kusarit me Igor Simiqin, duke i cilësuar ata si pjesë të një strukture kriminale, raporton Gazeta Enigma.
“Dejona Mihali është vetë Kurti,” tha Zemaj, duke theksuar se Naser Hafizi, i afërt me Kurtin, nuk është një person i parëndësishëm. “Rastet e këtyre individëve tregojnë se qeveria është e zhytur në korrupsion.”
Zemaj ngriti shqetësime për pasurinë e dyshimtë të Hafizit, i cili me një pagë prej rreth 700 eurosh ka blerë katër banesa dhe ka pasur një qarkullim bankar mbi 400 mijë euro në një muaj. “Pse institucionet përkatëse nuk kanë reaguar për këtë disproporcion të madh në të ardhura?” pyeti Zemaj.
Deputeti i LDK-së e përfundoi duke theksuar se veprimet e Mihalit, si vendosja e ndalesave të energjisë elektrike dhe menaxhimi i komunikimeve për punësimet, tregojnë për një skemë kriminale të organizuar pa frikë nga përgjegjësia.
“Kjo është një dëshmi e qartë e mungesës së llogaridhënies në këtë qeveri,” përfundoi ai./GazetaEnigma/